22 vjet nga rënia e heronjve Elez Geci e Maxhun Berisha

08:55 / 28 March 2021

Pranvera e vitit 1999 do t’i sillte Kosovës shume humbje, shumë lotë, por njëkohësisht edhe shumë krenari për bijtë dhe bijat më të mira të vatanit që me gjak po shkruanin historinë më të re të Kosovës, shkruan Gazetria Civile.

E tillë ishte edhe dita e 28 marsit, kur forca të shumta kishin mësyrë Dukagjinin, por që hovin ua ndali Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Atë ditë në një luftë të egër e të pa barabartë, u zhvillua Beteja e Pozharit. Në këtë betejë forcat serbe u munden keq nga njësitet e UÇK-së, duke u detyruar që me turp të tërhiqen nga aty.

Beteja e Pozharit njihet edhe si beteja ku u luftua në afërsi dhe ku luftarët e UÇK-së e shpartalluan armikun, duke e turpëruar atë dhe duke e bërë të tërhiqej zvarrë e me humbje të mëdha.

Në këtë betejë, ranë në altarin e lirisë dy djem të zot të Dukagjinit, dy yje iu shtuan qiellit të lirisë, dy trima i dhanë shkëlqim flamurit të vegjëlisë. Elez Geci e Maxhun Berisha, ranë për të jetuar përherë!

Po atë ditë me urdhër të Komandantit të Zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj, u themelua “Brigada 137 Gjakova”, e cila me vendosmëri e guxim, i bëri rezistencë të fuqishme armikut. Kjo Brigadë nderoi emrin e bashkëluftarëve Elez Geci e Maxhun Berisha në shumë beteja, por në veçanti në betejën e Çabratit, që u zhvillua javën e dytë të majit 1999./Gazetaria Civile/

U qoftë e lehtë mbi varr lëndina!