22 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit e Beqir Gashit me 40 dëshmorët e lirisë

06:55 / 14 December 2020

Janë bërë sot 22 vjet kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mori një nga goditjet më të mëdha të saj. Më 14 dhjetor 1998, tek sa po kthehej nga Shqipëria për të sjellë armatim për bashkëluftarët e tij, Mujë Krasniqi, me 40 bashkëluftarë të tij ranë në bjeshkët e Gorozhupit.

Atë ditë, gjaku i bijave e bijve më të mirë të shqipes, skuqi maja bjeshkët e mbushura më borë dhe u bë kushtrim i lirisë së vegjëlisë.

Kanë kaluar 22 vjet nga ajo ditë, por për bashkëluftarët e vegjëlinë, dhimbja e krenaria prekin kupën e qiellit, sikur atë ditë kur ranë.

Mujë Krasniqi – Kapuqi, ishte njëri ndër bashkëluftarët e krye heroit të kombit Adem Jashari dhe me këngën e pushkën e tij çlirimtare, ishte bërë frymëzim i luftarëve të lirisë, kurse për forcat çetnike-barbare, ishte bërë sinonim i tmerrit e i frikës

Muja e Beqa, jo vetëm që u këndonin heronjve me çifteli, por ata edhe ndiqnin rrugën e tyre, sepse e dinin se pa gjak nuk ka liri, e pa u bërë shembull vet nuk mund ta ftosh askënd në dasmën e lirisë së mëmëdheut. Ata ishin të vetëdijshëm se duke i prirë vetë luftës, do të frymëzonin mijëra të tjerë për t’u ngritur kundër prangave të robërisë.

Ata, vërtetë ranë mëngjesin të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut, por vepra e zëri i tyre, do të jetojnë për jetë të jetëve, sa të ketë jetë Shqipëria dhe shqiptarët.

Të gjithë të rënëve të asaj dite, u qoftë e lehtë mbi varr lëndia!