Sot janë bërë 23 vjet që nga dita kur në betejën për mbrojtjen e Junikut, ranë për të mos vdekur kurrë Bekim Berisha-ABE-ja dhe Bedri Shala. Atë ditë ranë edhe Përmet Vula, Elton Zherka e Bashkim Leku.
Fillimisht me angazhimin e Bekim Berishës e Bedri Shalës, me 22 prill 1998 u themelua Akademia e parë ushtarake në Açarevë të Drenicës.
Më pas ata kaluan në Dukagjin, më konkretisht në Gllogjan, ku iu bashkuan Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradianj, duke iu bërë krah i fortë e i besueshëm. Edhe sot e kësaj dite ish ushtarët që patën fatin të stërviten nga Bekim Berisha e Bedri Shala, rrëfejnë me nostalgji për dedikimin e këtyre dy burrave ndaj ushtarëve të rinj, që përgatiteshin për luftë çlirimtare.
Duke qenë se pjesa kufitare e Junikut dhe Vokshit, ishte me rëndësi jetike për furnizimin e UÇK-së me armatime, Bekim Berisha e Bedri Shala, me dakordimin e Ramush Haradinajt, marrin përsipër organizimin e luftës në këtë pjesë më 29 maj të vitit 1998.
Nga ajo ditë e deri në momentin e rënies së tyre në altarin e lirisë, zona kufitare e kësaj ane do të mbetej e hapur edhe përkundër luftimeve të ashpra që zhvilloheshin në këtë pjesë, duke mundësuar kështu furnizimin e rregullt me armatime të njësive të UÇK-së, në tërë territorin e Kosovës.
Më 10 gusht 1998, forca të mëdha këmbësorie e artilerie, kishin mësyrë Junikun dhe për gjatë tërë ditës u zhvilluan luftime të rrepta dhe në afërsi si asnjëherë më parë. Pasditen e 10 gushtit merr plagë të rënda Bedri Shala në tentativë që t’ua merrte një tank forcave serbe, kurse Bekim Berisha vetëmohohet, duke luftuar hapur, pa u fshehur, pa iu dridhur qerpiku, sepse donte të merrte hak për plagët e rënda të Bedriut. Një predhë topi ia shkulë krahërorin, por kurrë idealin për liri.
Në orët e mbrëmjes Bedri Shala, ndërron jetë me emrin e Bekim Berishës në gojë, pa e dituar se edhe Abeja kishte rënë në fushë të nderit. Në luftimet e ashpra të asaj dite bien heroikisht edhe Përmet Vula, Elton Zherka dhe Bashkim Leku.
Atë ditë Juniku kishte parë vërtetë luftë luanësh nga djemtë që nuk iu frikësuan vdekjes, andaj edhe poeti me të drejtë do të shkruante:
“Me gjokset hapur, tankut i dolët para
Kështu vdiset për Atdhe, si Abeja e Bedri Shala”
Presidenti i atëhershëm i Kroacisë Franjo Tugjman, me të dëgjuar lajmin për rënien e Bekim Berishës, kishte shpallur ditë zie në Kroaci, duke i ngritur flamujt në gjysmështizë.
Ai kishte thënë: “Gjeneralmajor Bekim Berisha, kishte vlerë sa 1000 ushtarë të rëndomtë”.
E paqi të lehtë mbi varr lëndinën, bijtë e vegjëlisë!