40 vjet nga vrasja e Bislim Shalës në Fabrikën e Amortizatorëve

11:02 / 11 March 2021

Sot shënohet 40 vjetori i demonstratave studentore. Dita e 11 marsit 1981 shënon edhe viktimën e parë si pasojë e reprezaljes serbe mbi shqiptarët e Kosovës, shkruan Gazetaria Civile.

Atë ditë në Fabrikën e Amortizatorëve në Fushë Kosovë, punonte edhe Bislim Shala nga Negrofci i Drenasit, bashkë me kolegë të tjerë, të gjithë shqiptarë të Kosovës.

Ai gjatë ditës kishte marrë pjesë në demonstrata, duke i prirë dhe organizuar pjesëmarrjen e Sindikatës së Punonjësve në demonstratë.

Nga një bombë e vendosur në njërën nga fuqitë me material për pastrimin e makinerive prodhuese, mbeti i vrarë Bislim Shala.

Nga ekspertizat e mëvonshme del se pushteti i asaj kohe kishte inskenuar gjithçka, madje kishte planifikuar edhe montuar edhe shkakun e eksplozionit që kishte ndodhur aty. Ekspertiza e vendit të ngjarjes kishte konstatuar se Bislim Shala, ishte duhanpirës dhe se në momentin kur kishte ndodhur shpërthimi, ai gjoja po pinte cigare, por kjo u demantua nga njëri prej punonjësve mbikëqyrës që punonte aty, i cili kishte demantuar ekspertizën duke e shuar cigaren në materialin e lëngshëm që kishte eksploduar në momentin e hapjes së fuqisë nga Bislim Shala.

Vrasjen e tij e konfirmon edhe fletëlëshimi i morgut të Spitalit të Prishtinës, në të cilin shkruante se vdekja e tij ishte enigmatike.

Ditën e 11 marsit 1981 mbeti i vrarë Bislim Shala, kurse një punonjës atë ditë humbi krahun dhe një tjetër humbi dëgjimin si pasojë e krismës së madhe.

Bislim Shala rridhte nga një familje patriotike dhe e dëshmuar kundër falangave okupatore historikisht. Ai la pas vetës gruan dhe 7 fëmijë. Dy nga djemtë e tij me të filluar lufta çlirimtare, Afrimi dhe Mialimi iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë betejave për liri ata u dëshmuan si luftarë të paepur dhe idealist të mëdhenj. Të dy sot jetojnë me plagët e lirisë dhe kanë krijuar familjet e tyre./Gazetaria Civile/