Dita e 7 marsit shënon ditën e mësuesit, mësues ishte edhe Shaban Jashari nga Prekazi i Drenicës.
Atë ditë marsi mësuesi Shaban na e dha mësimin më të çmuar që një mësues mund ta jep, e dha shembullin e tij si leksion për shqiptarinë. Pa fjalë, pa një tabelë të zezë, por me pushkën e tij mësoi brezat se për liri duhet gjak e sakrificë, duhet flijim.
Më 7 mars 1998, pas një lufte të pa barabartë, ra në fushë të nderit mësuesi Shaban, por ai nuk ra vet, ra me 56 anëtarë të familjes së tij duke dhënë shembullin e flijimit më të madh në shqiptari. Me 7 mars 1998 pushka e tij u dëgjua për të fundit herë, po jehona e saj u dëgjua edhe në metropolet e kancelaritë më të largëta të perëndimit, jehona e saj dëgjohet edhe sot, e do të dëgjohet për jetë e mot.
Krismat e pushkës së tij dhe djemve, nipave e mbesave të tij, përjetësisht do të jenë leksioni më i mirë për ne, për brezat që vijnë, e mbi të gjitha për çdo armik që mësynë në këto anë, se tokën lajmë me gjak e nuk koritemi, se çdo armik që mësynë pragun e shqiptarit, kthehet pa krye. Se çdo i rënë për liri është kushtrim lirie, është lulëkuqe Kosove.
Na e bëj hallall gjakun e mundin mësuesi Shaban, e paq të lehtë mbi varr lëndinën!