Porositë e gjyshit

18:53 / 11 August 2021

Porositë e gjyshit

E liga kur mësynë lëri derën hapë
Kështu na thoshte gjyshi zemërmiri
Pesha e burrit matet, kur është për së liri
Të mirat kur trokasin, rreth miqsh ti silli

Kosin thosh gjyshi e prishë vetëm uji
Burrin e koritë thoshte kajta dhe huji
Mos lakmo kurrë biro, ti gjënë e huaj
Kurrë njeri në jetë mos e bëjë të vuaj

Kur njeriu gëzon, e liga rreth sillet
I drejti goditet, monafiku përdridhet
Jeta zgjatë sa nga dera në derë
Kujdes nga koka mos të marri erë

Me fjalë pak porosiste, e me vepra shumë
Ëndrrat thosh vlejnë, veç kur flemë gjumë
Ai që shpinën lehtas, ndër miq ta rrahë
Tulin ta kërkon në gjoks a në krahë

Jetoni pa frikë, se frika të shohësh s’të lë
Merre jetën shtruar, marazi s’të sjellë gjë
Mos e gjyko mollën, nga lëkura e lëmuar
Krimbi zemrën të tërë, thellë ia ka sulmuar

Gjyshi na e la, të tërë një pasuri
Na la nurin ndritur, një jetë mençuri

Autori: Islam Morina (gusht 2021)