Vula e lirisë
Gjak në pragun e derës
Gjak në rrugën e fëmijërisë
Kudo gjak e kudo gjamë
Në ditët e rënda të luftë-lirisë
Me gjak ishte e shtruar edhe fusha
Gjethet e lisave atë verë ishin të kuq nga gjaku
Ngado gjak e gjëmë morti
Shtegut nga vinte me zor liria
Gjaku e kishte mbuluar edhe bunarin plak
E lumi rridhte copa gjaku atë dimër
Me gjak ndër duar e lotë në sy
Ushqehej foshjna e posalindur
Në çdo vijë kufiri kishte gjak
Ngado gjeje një këmbë a dorë të braktisur
Kudo britma e psherëtima pa fund
Ashtu ishin stinët që sillnin liri
Edhe bari rritej nga gjaku i derdhur rrëke
Bora nuk ishte e bardhë si çdo herë
Ajo ra e bardhë natën, e zbardhi e kuqe ditën
Gjithçka lahej me gjak
Buka kishte shije gjaku
Gjak nga supi i atij që e barti, por nuk arriti ta hajë
Gjak biro gjak, gjak ngado që i qoje sytë
Gjak, që sot na bën të lirë
Gjak që na e trasoi rrugën që e shkelim çdo ditë
Gjak që na mallkon po e lamë farën e keqe me u rritë
Gjak i pastër biro, gjak i njerëzve të mirë
Gjak i vegjelisë skamnore, gjak i tokës arbërore
Ai gjak që na e stolisi lirinë
Ai gjak që sot e mot e kemi amanet
Mos harro bir se rrënjët tona i kemi në gjak
Gjak e kemi flamurin, vulën e lirisë
Autori: Islam Morina (korrik 2020)