Lamtumirë nuk them dot
(Dedikuar nipit tonë Salih Idrizi)
Ike në heshtje, ashtu si era e kësaj vjeshte
Mëngjesin që sa kishte zbardhë, një yll ra
Kurrë nuk dorëzove, atdhenë kishe me vete
Idhull dikur, e idhull edhe sot daja ty të ka
Kur u pamë të fundit herë, bëmë një premtim
Kur sfida të kalohej, do të vije si dukur ngahera
E në bahçen e kumbullave të rrinim deri n’agim
Të qeshnim e qanim bashkë, për aq vite mërgim
Unë e di se premtimin, bashkë do ta mbajmë
E nën hijen e kumbullave, do të takohemi bashkë
Unë në dimensionin e kësaj bote duke të pritur
Ti që vjen e shoqëri më bën nga parajsa prapë
Për lamtumirë nuk ka vend mes nesh nipalan
Je kudo me flladin e verës, në bahçe ku u rritëm
Çdo lule e filiz i bahçes, ty të ngjanë, e gjallë mbanë
Kurrë lamtumirë, as kur u larguam, u tretëm e ikëm
Autor: Islam Morina (tetor 2021)