Sikur të mos i mjaftonin torturat e vazhdueshme e brutale në burgjet e Serbisë, Ylber Topalli ishte dërguar në Burgun e Dubravës, ku kishte përjetuar masakrën më të tmerrshme dhe së cilës i kishte mbijetuar.
Topalli në një rrëfim ekskluziv për “ZËRAT E LUFTËS” nga Islam Morina, prodhim i Gazetës Infokus, ka treguar me detaje se si ndodhi masakra në Burgun e Dubravës dhe se si pa me sytë e tij ekzekutimet makabre të atyre ditëve.
“Në mëngjesin e datës 22 kishte përgatitur masakrën më të tmerrshme në orët e hershme të mëngjesit na zgjojnë se atë ditë ne flejtëm në livadh atje te fusha e sportit, na zgjojnë të gjithëve, na thonë rendituni se po shkojmë në burgun e Nishit se këtu s’ka kushte. Ne radhitemi në renditje në 4 a 5 në rreshta dhe akoma pa u renditur, prej mureve ajo skuadra e pushkatimit zgjohet prej karakollës aty edhe fillojnë të shtënat nga shumë drejtime, prej pushkëve, mitralozave, snajperëve, bombave e granatave dhe gjithçka e mundshme mbi turmën e pafajshme të shqiptarëve, të cilët nuk ishin vetëm të burgosur politik, ishin edhe ordiner, por krejt shqiptarë. Aty është bërë një masakër e tmerrshme dhe kush nga ka mund ta shpëtojë kokën e vet”, kujton ngjarjet dramatike të masakrës së Dubravës, Ylber Topalli, ku vranë e masakruan qindra të burgosur me arsyen e vetme se ishin shqiptarë./Gazeta Infokus/