Malli për ëmbëlsinë tate
(Dedikuar xhaxhit tim Sadikut)
Rrudhave të pleqërisë sate sot rrugëtova
Rritur duarve tua me nurin që t’shëndriste
Te molla e oborrit ku të fundit herë të takova
T’i ndjeva hapat ngadal si përherë kur shëtisje
Aromën ta ndjeva në pragun e shtëpisë së vjetër
Prisja të shihja e të takoja si ngaherë buzëqeshur
Zërin ta dëgjoj prita, nuk ishe aty por diku tjetër
Tash jeton përherë, aty ku jeta s’ka të rreshtur
Te e fundit banesë erdha e të takova sot
Fola me ty tek varri e u çmalla si dikur ngahera
Zërin ta dëgjova nga qielli me dritë plotë
Kur me ty poshtë varrit flisja, ballin ma preku era
Ishte prekja jote plot ëmbëlsi e ledhati
Se ëmbëlsi e ledhati të atillë kishe vetëm ti
Autori: Islam Morina (Prill 2021)