Gjaku i vatanit

20:59 / 23 September 2019

Përfundoi lufta
E lajmi mori dhenë
Me laps u çliruam thanë
E gëzofshim mëmëdhenë

Harruan se mbi kodër
Te istikami i vet
Ngel’ mbi dhe pa tretur
Ushtari që dha jetë

Edhe atë e harruan
Që la gjak e gjymtyrë
Si një herë s’u kujtuan
Lapsi nga mori ngjyrë

Ish gjak i dëshmorëve
Q’u bë bojë në pena
I dha sy e vesh botës
Nga kullat me bedena

Andaj mos harroni
O ju që penën mbanit
Se nga gjak i luftarëve
Shkruhej fati i vatanit

Autori: Islam Morina (23 shtator 2019)