Kosova vazhdon të këtë problem me prodhim dhe furnizim të qytetarëve me energji elektrike, si pasojë e nxjerrjes nga funksioni të Njësisë A5 të termocentralit “Kosova A” dhe Njësisë B2 të “Kosovës B”, raporton Gazeta Infokus.
Dy ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se janë në pritje të kthimit në punë të njësisë B2 të termocentralit “Kosova B” dhe se me kthimin në punë të kësaj njësie pritet edhe stabilitet energjetik në vend.
Kthimi në punë i Njësisë B2, e cila ka kapacitet prodhimi prej 260 MW/h energji elektrike, ishte paraparë të realizohej sot në ora 12:00, por që realisht nuk ka ndodhur, shkruan Gazeta Infokus.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, për Gazetën Infokus ka thënë se siç i ka informuar KEK-u, në planifikimet e rregullta të tyre ka qenë e paraparë që ky bllok të kthehet në funksion me 1 shtor, por që ka pasur tentativë të kthehej sot në funksion, por që nuk është arritur të bëhet dhe se tash ka mbetur të kthehet në funksion sipas planifikimit të rregullt.
“Planifikimi i rregullt që nga fillimi ka qenë me 1 shtator, po flas se si na kanë njoftuar ata. Kanë mendu me kthy njëherë përpara, por nuk kanë mundur me kthy, sot do me thënë me të 26-in, kështu që ka mbetur planifikimi që ka qenë”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.
I pyetur nga Gazeta Infokus, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, ka thënë se aktualisht janë tri blloqe në sistem dhe aktualisht KEDS është duke u furnizuar nga rrjeti mbi 500 MW/h energji elektrike nga KEK-u, kurse import nga jashtë nuk ka afërsisht tash e dy javë.
“Po janë tri blloqe dhe ne i marrim nga rrjeti diku mbi 500 MW-h, energji elektrike nga KEK-u. Import nuk ka tash e dy javë, pra tash afër dy javë”, ka thënë Buzhala.
Problem në vete vazhdon të mbetet edhe mos futja në funksion i Njësisë A5 të Termocentralit “Kosova A”, për të cilin Gazeta Infokus pati raportuar për skandalin në këtë njësi, për mos kryerjen e planifikimeve, gjë që bëri që kjo njësi të ndalej me detyrim, pa e pasur një kontratë valide për riparimin e saj.
Kujtojmë se tash afërsisht dy javë qytetarët e vendit janë duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kjo ka ngjallur reagime të shumta nga mediat, shqoëria civile dhe bizneset pasi në 10 vitet e fundit Kosova nuk është përballur me reduktime të energjisë elektrike, e aq më pak me reduktime kaq të ashpra në sezonin e verës/Gazeta Infokus/