Sot janë bërë 24 vjet nga dita kur ra në altarin e lirisë Heroi i Kosovës Luan Haradinaj nga Gllogjani i Deçanit. Luan Haradinaj është ndër Dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i rënë në përballje me forcat sllavo-çetnike në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Rënia e tij ishte kushtrim dhe sihariq se bijtë e bijat më të mira të vegjëlisë tashmë kishin rrogur pushkët dhe po luftonin maleve për lirinë e mëmëdhëut.
Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë. Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria serbo-sllave, në kufirin që ndante padrejtësisht shqiptarët që ndodheshin padrejtësisht në dy anët e kufirit.
Pas një beteje të ashpër disa orëshe me forcat serbe, ra për t’u përjetësuar Luani i UÇK-së, kurse të plagosur mbetën Rafet Rama, Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros që të prehet në përjetësi në Kullën e Dëshmorëve në Gllogjan, së bashku me 23 dëshmorët e vendlindjes së tij.
Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej, sepse për të më e rëndësishme ishte liria e vegjëlisë së shtypur nën robëri, se sa jeta e tij dhe çdo gjë tjetër.
I qoftë e lehtë mbi varr lëndina!