Bahri Fazliu sot 23 vjet u shndërrua në rreze-drite lirie

08:18 / 07 May 2021

Sot janë bërë 23 vjet nga rënia e Dëshmorit të Kombit Bahriu Fazliu. Ai ishte i brumosur me frymën idealiste për çlirim e bashkim kombëtar. Bahriu me veprën e tij do të dëshmonte edhe një herë se liria ka çmim të lartë dhe se për të duhet dhënë dhe jetën.

Mision në vetvete kishte bashkimin e të gjitha forcave rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si e vetmja alternativë për çlirimin e vegjëlisë nga zgjedha e robërisë.
Nga lider i LKÇK-së, publicist e prozator ai me shembullin e tij të vetëmohimit u shndërrua në një çlirimtar që kudo rrezatonte guxim e vendosmëri për çlirimin e bashkimin e mëmëdheut të ndarë copash në shumë shtete.

Pas marrëveshjes me strukturat e atëhershme të UÇK-së, LKÇK-ja dhe njësiti i saj gueril, u shkrinë në formacionet e kësaj ushtrie.

Në pranverë të vitit 1998, Bahriu, si pjesëtar i radhëve të UÇK-së, kishte shkuar në Shqipëri, i ngarkuar me detyra të caktuara. Më 7 maj 1998, Bahriu bie trimërisht në kufirin në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe të Mali të Zi, afër Plavës, duke iu bashkuar rreze-dritës së heronjve që me gjakun e jetën e tyre do t’i ndrisnin përjetësisht vatanit.

Se sa e donte Bahriu lirinë e vegjëlisë e dëshmon edhe njëra nga poezitë e tij që e kishte shkruar në vitin 1994 e të cilën ua sjellim në vijim:

S’MUND TË NDAHEM NGA LUFTA
Me gjithë mallin që kam për ty, nënë
me gjithë dhembjen që ke për mua,
me gjithë dëshirën që kam përjetë,
megjithëqë një vajzë shumë ‘e dua.
Megjithëqë më pëlqen stina e pranverës,
megjithëqë dua paqen në botë,
megjithëqë më pëlqen të nxehtët e vapës
megjithëqë me dëshirë do të rrija mbi tokë.
S’mund të ndahem nga lufta kurrë
s’mund të pajtohem me paqen-robëri
pashë më pashë do t’i bie ferrit,
për të shenjtën tonë liri.
Edhe vdekjen do ta puth, nënë
kur lufta këtë do ta kërkojë,
edhe nga varri do të ngrihem,

luftën kurrë s’do ta pushoj.

(Poezi e shkruar nga Dëshmori Bahri Fazliu)

I qoftë e lehtë mbi varr lëndina!