Ganimete Gjylani drenicakja që nuk i trembej vdekjes

08:59 / 23 August 2021

Drenica në periudha të ndryshme historike e ka dëshmuar se është djep i shqipeve që nuk e lënë folenë në duar të të huajve e hordhive pushtuese. Drenica ka lindur gjithmonë djem e vajza që kanë rënë fli për mëmëdheun e lirinë e vegjëlisë.

E tillë ishte edhe heroina Ganimete Gjylani, e cila iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa hezitim, duke i shërbyer kështu atdheut dhe lirisë së tij.

Fillimisht ajo shërbeu në Vasilëvë të Drenasit e më pas në Nekofc dhe në fund në Açarevë të Skenderajt.

Së bashku me Dëshmorin Rasim Kiçina, Ganimetja kishte marrë rrugën e shërbimit në për në Açarevë pasi kishte vizituar familjen e saj, më 21 gusht 1998. Me të arritur atje kishte filluar një sulm i furishëm ndaj pozicioneve të UÇK-së dhe Ganimetja natyrisht iu bashkua shokëve dhe shoqeve të veta të idealit, në mbrojtje të mëmëdheut dhe pozicioneve të UÇK-së.

Pas dy ditë luftimesh, më 23 gusht 1998, Ganimetja goditet nga një predhë snajperi, i cili i depërton në pjesën e majtë të kraharorit, duke rënë kështu në altarin e lirisë, aty ku rrezedrita e vatanit nuk shuhet kurrë.

Ashtu siç nuk iu tremb syri kurrë në beteja, ashtu edhe ra në fushë të nderit, duke ia falë gjakun mëmëdheut e vegjëlisë.

I qoftë e lehtë mbi varr lëndina!