Gjaku i ndërgjegjes
Mbi ballin e përgjakur vesa kur u ra
Lirinë e truallit plak a e ndjetë
Mallin e lotin e vegjëlisë a e patë
Gjëma e mortit mbi djepa kur ra
Rrugës që e latë me gjakun tuaj
Të lirë kalojmë ne sot e mot
U ndjejmë në çdo fije bari
Si fllad na e ledhatoni mallin që përvëlon
Ankth e dënesje kur ndjejmë
Jeni aty, na i ledhatoni plagët
Flakadani ndizet me gjakun tuaj
Jeni kudo dhe çdo kohë, jeni liria
Shtigjeve të ngushta të Drenicës u gjejmë
E ruani çdo pëllëmbë të truallit arbëror
Jeni kuptimi i lirisë që nuk e kuptojmë
Ndërgjegjja e vrarë dekadash lirie jeni
Kuptim i dhembjes, dhembje e lirisë jeni
Etje e shqiptarit larë me gurra gjaku
Rrënjë e petal i Lulbozhurit jeni
Jeni ata, që ne as nuk ishim e as s’do jemi
Autor: Islam Morina (qershor 2020)