Mirush Dakaj-Korbi, ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes për liri! Pushka e tij çlirimtare do të bëhej tmerr për armikun gjakatar serb. Bashkë me Fehmiun e Xhevën, Abenë e shumë trima të tjerë do të hynin ndër të parët në Kosovë. Korbi do të kthehej në vendlindjen e tij në Caravik si përforcim për bashkëfshatarët e tij që tashmë ishin barrikadur në istikame për të mbrojtur pragun e shtëpisë.
Aksionet e tij të shpeshta në postobllokun famëkeq të Kijevës, do të ndikonin në ngritjen e moralit luftarak jo vetëm tek bashkëluftarët e tij, por edhe në popullatën civile të asaj ane. Poashtu aksionet e tij të befasishme në rreze të afërt të postobllokut të Kijevës, do të fusnin panik të pa parë në radhët e armikut.
Komandant Korbi ra nga dora gjakatare e tradhëtisë, por sot kur Kosova gëzon 22 vjet çlirim, ai sikur u harrua dhe mbeti kujtim i largët për ata komandantë që u shndërruan në politikanë. Politikanë që tërë ditën e gojën plotë e kanë me patriotizëm por për legjendën e luftës, Komandant Korbin nuk u kujtuan sot, as dje e mbase as nesër.
Korbi nuk ishte nga ata që harrohen lehtë sepse ai me veprat e tij hyri në zemrën e vegjëlisë e cila e mbanë gjallë kujtimin për të. Sot kur marrim frymë lirisht në trojet tona, komandant Korbi i bën roje përjetësisë dhe përveç familjes, askush nuk vajti për nderim pranë lapidarit të tij, askush nuk ndau dekoratë. Mbase ishin të zënë pas dekorimeve të njerëzve që kurr nuk bënë gjë për mëmëdhenë, mbase ishin të zënë duke vrapuar pas pasurisë që ua ka zënë sytë.
Mirush Dakaj-Korbi është nga ata heronj që janë lënë në harresë nga politika e degjeneruar e këtij vendi, por ai rron në zemrat e qytetarëve, rron në zemër të flamurit.