Janë bërë 23 vjet nga rënia e Mujë Krasniqt me 40 bashkluftëtarë te Likenet e Hasit

11:30 / 14 December 2021

Janë bërë 23 vjet nga dita kur Kosova dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përjetuan humbjen më të madhe dhe betejën më të përgjakshme në luftë për lirinë e mëmëdheut.

Komandant Mujë Krasniqi – Kapuçi, bashkë me 140 bashkëluftarë ia kishin mësyrë Kosovës për të sjellë barot për pushkët çlirimtare që po luftonin në kushte të pabarabarta me okupatorin fashist serb, shkruan Gazetaria Civile.

Të përballur me dimrin e acartë të atij viti dhe me lodhjen a madhe nga barra e rënd e armatimeve mbi supe, komandant Kapuçi bie në pritë në Bjeshkët e Pashtrikut te vendi i quajtura Likenet e Hasit.

Të mërdhirë nga i ftohti i acartë e të lodhur nga pesha e rëndë e armatimit mbi supe, Kapuçi me bashkëluftarë i përgjigjen ashpër zjarrit të pritës tinëzare.

Edhe pse në kushte ta pabarabarta, Kapuçi me bashkëluftarë nuk njohin gjunjëzim as dorëzim, me vetëmohim të pashoq e zjarr çlirimtar luftojnë deri në vetëflijim Muja me 40 bashkëluftarë, gjë që bëri të mundur tërheqjen nga vija e zjarrit të 100 çlirimtarëve tjerë disa nga ta të plagosur rënd.
Atë ditë të 14 dhjetorit Pashtriku u la në gjak, 41 Dëshmorë i ranë Vatanit, por atë ditë iu dha vula vazhdimësisë së luftës dhe u dëshmua se jeta e shqiptarit nuk është gjë para lirisë së tij dhe vegjëlisë.

20 vjet më pas mbi themelet e gjakut të dëshmorëve u themelua Ushtria e Kosovës, e cila po vazhdon konsolidimin e saj, në mënyrë që kurdo që mëmëdheu të jetë në rrezik, ajo ti dal zot ashtu si Muja me shokë, ashtu si Ademi e Hamza, ashtu siç i dolën zot vajzat e djemtë më të mirë të kombit ato kohë të rënda robërie./Gazetaria Civile/