Kujtojmë heroinën Mervete Maksutaj

07:39 / 04 December 2020

Kjo tokë gjithmonë lindi bijë e bija që ia nderuan armët e nderin e kombit! E tillë ishte edhe dëshmorja e kombit, heroina Mervete Maksutaj.

Me aktin e saj heroik, jo vetëm që do ta shtonte moralin e bashkëluftarëve të saj, por do t’ia fuste në palcë frikën armikut gjakatar të okupatorit. Ajo kishte bërë betim mbi trupin e vëllait të saj dëshmor Enverit, se do t’ia merrte hakun dhe se nuk do ta linte gjakhumbur as atë, e asnjë luftarë tjetër.

Dhe ashtu ndodhi, ajo u hakmor me dhjetëra herë në beteja, por dita kur ajo do të binte në altarin e lirisë, është dita kur ajo kurorëzoi idealin e saj dhe amanetin e dhënë mbi trupin e vëllait të saj dëshmor.

Ishte dita e 4 dhjetorit 1998, kur Mervetja në tentativë për të tërhequr shokët e saj që ishin të plagosur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, përleshet me forcat okupatore që kishin blinduar spitalin. Ajo në aksionin e shpëtimit të shokëve, la të vrarë dhjetëra polic serb që po e ruanin spitalin dhe të plagosurit, që më shumë po mbaheshin rob aty, se sa po kuroheshin.

Heroina Mervete Maksuataj, ra në altarin e lirisë më 4 dhjetor 1998, duke e ujitur me gjakun e saj të njomë, lirinë e vatanit dhe frymëzimin e vegjëlisë.

Si ajo lindin rrallë në histori, si ajo bien rrallë në histori.

I qoftë e lehtë mbi varr lëndina!