Neveri

19:36 / 13 August 2021

Neveri

Më neverisin harraqët e hipokritët
Harrojnë të mirat, shajnë e fëlliqin
Flasin pas shpine, përgojojnë miqtë
Shesin mend, kur s’kapin dot fikun

Më neverisin edhe ata narcistët
Kujtojnë veten lule të vetme në botë
Të dashuruar në vetën, janë të stisët
Nuk prekin n’tokë, s’kanë mend në kokë

Më neverisin edhe këta, moralistët
Shajnë botën se nuk sillet rreth tyre
Hunda s’i lë t’shohin e keqja u vardiset
Kujtojnë veten t’pastër, ata smeraldistët

Ah, ç’më neverisin ata bukëpërmbysët
Se njeriu i ngratë, gjindet me se mundet
Një herë po s’qe, shpiriti u kalbet e prishet
Për ta je i lig, pa çka se atyre llumi u tundet

Më neverisin edhe ‘mendjendriturit’
I japin botës mend, kurrë nuk pushojnë
Askush si ta nuk di, as të përndriturit
Janë ata që dinë, botën e përçmojnë

Më neverisin pa masë, ata përbuzësit
Shkelin, nënçmojnë ata që u kanë besë
Si qengja bëhen kur u flasin zaptuesit
Shfryjnë te dashamiri, faqen e tyre t’zezë

Më shumë më neverisin pseudopatriotët
Kur flasin për burrëri, moral e trimëri
Janë më trima se spartanët e epiriotët
Pa çka se vonë luftuan, tek në liri

Epo të gjithë ju harraq, hipokritë
Narcistë, moralistë e pseudopatriotë
Bukëpërmbysës e ‘mendjendritur’
S’jeni gjë, veçse llum – zemërprishur

Autor: Islam Morina (qershor 2021)