Nuk i druheshim vdekjes
Nuk i druheshim vdekjes, por mënyrës se si
Bota për shqiptarin ishte bardh edhe zi
E bardhë kur plumbat ndalnin, e binte qetësi
E zezë kur vdekja me teh vinte, e korbat përmbi
Minutat ishin shekuj dhe ora një mijë vjet
Babë e nanë shihnin mortjen e birit t’vet
Derë e oborrit mbyllej edhe mbetej shkret
Oxhaku mbetej në këmbë, porosi për jetë
Baba gjente forcën, ta vazhdonte rrugën
Amanet nga i biri, në dorë mbante hutën
Vatani pa liri ishte si kënga pa lahutën
Ata që binin për vatan, do ta fitonin luftën
Vdekja vine gjithfarësh nga bishat – njeri
Orë e mortit mbyllte, dyert në shqiptari
Vdekja u ulërinte atyre që donin liri
Këto ishin motet tona, para vitit dy mijë
Gjakosej pragu, e shkret mbetej shtëpia
Por pa derdhur gjak, kurrë nuk vjen liria
Nuk i druheshim vdekjes, por mënyrës se si
Sypatrembur para vdekjes që t’jetonim n’liri
Autor: Islam Morina (korrik 2021)