Përkujtojmë përjetësimin e dëshmorit Driton Zeneli

11:03 / 08 September 2021

Më 8 shtator të vitit 1998, ushtaraku profesionist Driton Zeneli nga Jabllanica e Gjakovës, ra në altarin e lirisë, për të mos u shuar kurrë, por për të qenë flakadan lirie e udhërrëfyes i brezave që vijnë.

Jeta e tij, e karriera e tij prej ushtaraku profesionist u vu në shërbim të kombit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës as pa më të voglin hezitim, sepse ai e dinte se liria nuk vjen me fjalë, por për të duhet derdhur gjaku rrëke.

Dëshmori Driton Zeneli, deri në gusht të ’98-ës kreu detyrën e instruktorit ku përgatiti kuadrot e reja të UÇK-së, duke i bërë gati ata për betejat që do të vinin më pastaj. Pas ofanzivës së gushtit të vitit 1998-të ai u emërua komandant.

Dritoni ra në fushë të nderit, ashtu si e ka zakon shqiptari, në luftë ballë për ballë me armikun, duke ia rritur namin Jabllanicës e Dushkajës dhe duke e graduar lart nderin e tij, me jetën e vet dhënë për lirinë e mëmëdheut.

Driton Zeneli dhe gjithë dëshmorët e kombit, janë vet liria jonë, janë gjaku që ujiti lulëkuqet e Kosovës, janë ngjyra e flamurit kombëtarë, janë puhiza e lehtë e lirisë sonë që na e flladitë ballin.

I qoftë e lehtë mbi varr lëndina!