Pllana tregon se kush janë tri këngëtaret me famë botërore që pritet të këndojnë në përurimin e obeliskut për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë

09:46 / 12 November 2022

Gazetari dhe publicisti Nusret Pllana, në emisionin N’konak me Islam Morinën, ka shpalosur detaje se si do të jetë dita e përurimit të obeliskut dedikuar 1.432 fëmijëve të vrarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë, shkruan Gazeta Infokus.

Ai përveç që ka treguar se atë ditë do të jenë të ftuara personalitete nga e tërë bota, ka thënë se në hapësirën prej një hektar do të mbillen 1,432 pemë, ku secila nga to do të mbajë emrin e mbiemrin e një fëmije të vrarë dhe datën e lindjes dhe vrasjes, kurse në inaugurim do të lëshohen në qiellin e kaltër 1,432 pëllumba të bardhë, ku secili pëllumb në krahë do ta ketë të shkruar emrin e një fëmije të vrarë po ashtu.

Nusret Pllana ka thënë N’Konak se atë ditë në skenarë është e paraparë që të këndojnë një këngë dedikuar atyre fëmijëve, tri solistet shqiptare me famë botërore Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha, të cilat do ta dridhin opinionin ndërkombëtar nga emocionet.

Pllana ka thënë se shpreson që me 20 nëntor në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve të këtij viti shpreson që nga kryeministri Albin Kurti të vihet gurthemeli i obeliskut, kurse me 1 qershor të vitit që po vjen, pikërisht në Ditën Botërore të Fëmijëve, të përurohet obelsiku i ideuar nga ai dhe dizajnuar nga dizajneri me renome botërore Prof. Dr. Rrezart Galica.
Ai ekskluzivisht për emisionin N’Konak, prodhim i Gazetës Infokus, ka ndarë edhe pamjen 3D se si do të duket obelisku dedikuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës nga okupatori serb./Gazeta Infokus/

Emisionin e plotë mund ta ndiqni KËTU