Qytetarët e Kosovës mund të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Kjo për shkak se prodhimi vendor i energjisë elektrike po ballafaqohet me probleme të shumta si pasojë e keqmenagjimit dhe keqplanifikimit në remontet e njësive prodhuese të KEK-ut, shkruan Gazeta Infokus.
Gazeta Infokus para pak çastesh ka marrë informacione se problemet teknike janë duke u shfaqur edhe në njësinë A3 në “Termocentralin Kosova A”.
Sipas burimeve brenda KEK-ut, si pasoje e këtyre problemeve teknike, Blloku A3 ka gjasa të mëdha të detyrohet të ndalet nga prodhimi sonte në ora 24:00.
Ndërsa Blloku A4 është revizion tash e sa ditë, kurse tash e sa kohë Blloku A5 i “Termocentralit Kosova A”, është në jashtë prodhimit dhe për të ende nuk ka një kontratë për riparimin e saj. Me rënien e këtij blloku “Termocentralet e Kosovës A”, do të mbesin krejtësisht jashtë prodhimit.
Kosova aktualisht ka në prodhim vetëm dy njësi të “Termocentralit Kosova B”, mirëpo sipas informacioneve që posedon Gazeta Infokus, nga burime brenda KEK-ut, edhe këto njësi nuk janë duke prodhuar me kapacitete të plota. Këto burime i kanë thënë Gazetës Infokus, se Blloku B1 i “Termocentralit Kosova B”, është duke prodhuar 30MW/H energji elektrike më pak edhe pas remontit që i është bërë kësaj njësie.
Përkundër që akoma nuk kemi hyrë në sezonin e dimrit Kosova si asnjë vend tjetër deri para pak ditësh është përballur me reduktime të rrymës, 6 orë me energji dhe 2 pa energji elektrike, duke shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek qytetarët.
Kujtojmë se gjatë kësaj vere vendi ynë është përballur me krizë energjetike si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë së vendit, ku vendi kishte mbetur vetëm me 390 MW/H energji elektrike të prodhuar, derisa kërkesa ishte mbi 626MW/H dhe e tëra kjo në sezonin e verës, kur vendi shënon pikun më të ulët të konsumit të energjisë elektrike.
Tashmë kur sezoni i vjeshtës dhe dimrit po afron, rëndom rritet edhe konsumi i energjisë elektrike gjë që do ta përkeqësoi gjendjen me furnizim me energji elektrike.
Qytetarë, por edhe ekspertë të fushës së energjetikës, si dhe e ish udhëheqës të KEK-ut, kanë shfaqur drojën se vendi do të mund të përballet me një dimër të gjatë e të ftohtë, si pasojë e mungesës së prodhimit të sasisë së nevojshme të energjisë elektrike, e cila po vjen si pasojë e keqmenagjimit dhe keqplanifikimit në KEK./Gazeta Infokus/