Sot 22 vjet më parë u përjetësua Dëshmori i Kombit Ibrahim Mazreku

08:39 / 02 June 2021

Ato ditë të fillim qershorit të vitit 1999-të, Kosova kishte marrë ngjyrën e flamurit kombëtar, kishte marrë ngjyrën e kuqe nga gjaku i derdhur e bijëve dhe bijave më të mira të kombit.

Në një ditë si kjo më 6 qershor 1999 kishte rënë në altarin e lirisë edhe Dëshmori i Kombit Ibrahim Mazreku. Njësiti Diverzanto Vëzhgues “Arbëri”, i Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, sapo ishin kthyer nga luftimet e ashpra në Senik të Malishevës, kur një lajm u vije ende pa i hequr armët nga supet se pozicionet në fshatin Lladrovc po binin.

Komandant Ibrahim Mazreku jep urdhrin për rikthim të pozicioneve njësitit të tij të përbërë nga djem që kishin dhënë betimin se thepat e Kleçkës e Berishës, do të binin vetëm pasi gjaku i tyre të shkonte rrëke.

Këta djem viganë së bashku me Ibrahim Mazrekun që u printe luftuan një ditë e një natë në rikthim të pozicioneve. Në ditën e dytë kur po avanconin bijtë e shqipes, në një moment Ibrahimi kishte avancuar në një pozicion para shokëve që i komandonte. Një plumb do ta godiste kraharorin e trimit, duke ia marrë jetën e lartësuar në altarin e lirisë së vegjëlisë.

Krah tij luftonte edhe i vëllai i Ibrahimit, Refki Mazreku, i njohur me nofkën “Vandami”. Ai kishte dëgjuar si dikush nga bashkëluftëtarët kishte rënë në fushë të nderit, por nuk e dinte se cili nga ta. Për të si Ibrahimi, si gjithë të tjerët ishin njëjtë, ishin vëllezërit e tij të armës e nderit. Kishte vrapuar nën breshërinë e plumbave deri te pozicioni ku shokët e kishin tërhequr trupin e Ibrahimit, por vëllezërit e tij të armës nuk bënin ballë t’ia kumtonin lajmin Refkiut.

Kur iu afrua trupit të vëllait tashmë të rënë, ia shpalosi gjoksin dhe nën dhëmbë murmuriti një mallkim, pastaj ngriti kokën drejtë vëllezërve të tij të armës dhe u tha: “ A ka një traktor ta largojmë trupin. Dërgojeni trupin në Kleçkë u tha disa të tjerëve që ishin aty pranë. E ju djema hajde, kthehuni në pozicione”. Kaq i prerë ishte, kaq i vendosur ishte Refkiu, sepse ai e dinte se gjaku i të vëllait nuk do shkonte kot, nuk do thahej deri sa rrezet e lirisë ta puthnin tokën e mëmëdheut.

Luftimet vazhduan deri në zmbrapsjen e suksesshme të sulmit gjakatar të forcave serbe, e që për qëllim kryesor kishin depërtimin te popullata e strehuar në malet e Berishës.

Tashmë njësiti i Ibrahimit e kishin bërë traditë që pas çdo beteje, tek sa shëronin plagët, t’i këndonin lirisë së mëmëdheut sepse kështu merrnin forcë e plagët u shëroheshin më shpejt, e kështu ndodhi edhe atë mbrëmje pas rënies së Komandant Ibrahm Mazrekut. Gjëma e vëllezërve të tij të armëve ishte kënga për liri, ishte kushtrimi për bashkim me ta, në misionin e shenjtë të çlirimit të vatanit të robëruar.

Komandant e paq të lehtë mbi varr lëndinën!