“Unë kam qenë më disa ushtarë më larg, nuk kam qenë afër familjes se kam menduar që familja kanë shkuar me refugjatët e tjerë, por ata kishin pas mbetur aty, familja ime dhe një familje e një kushëriri që edhe djali i tij është varë me timin”, tregon Sylejman Haxha nga Aqareva e Skënderajt, i cili atë ditë ishte në istikame duke luftuar përkrah bashkëluftëtarëve të tij në mbrojtje të vendit.
Ai tregon momentin se si e mori fillimisht lajmin se fëmijët e tij dhe të fqinjit të tij ishin plagosur dhe se si e kuptoi se si ata tashmë kishin ndërruar jetë.
“Ka ardhë një bashkëfshatar ka kaluar andej dhe na tha u janë plagosur disa fëmijë. Kemi shkuar me Murselin dhe i kemi gjetur ka ishin të strehuar. Kur kemi hyre aty e kam pyetur bashkëshorten time i them ku është Rafeti? Tha Rafeti ka vdekur! Kam bërtitë shumë, jo pak por shumë, fëmijët e tjerë nuk kishin pas ditur ende që ai ka vdekur ai dhe djali i kushëririt, Nexhat quhej.
Sylejman Haxha, në rrëfimin e tij për “ZËRAT E LUFTËS”, tregon se si i gjeti të vrarë djalin e tij Rafetin dhe djalin e kushëririt të tij, Nexhatin të cilët ishin edhe shokë klase. Ai tregon se si i varrosi ata duke i puthur në faqe si lamtumirë të fundit që ua kishte dhënë.
“I kemi varrosur në livadhe që i kemi aty, natën se i kemi pasë në çdo lagje kanë qenë shkijet. S’ka pasur lagje që nuk ka qenë me ushtarë e paramilitarë e çetnik. Në 11 të natës i kemi varrosë, ashtu siç ishin të veshur, i kam shti në she dhe i kam puthur dytë në faqe dhe në atë moment s’kam qitë lotë. Ua kam hequr vetëm këpucët. Por të nesërmen kur kam shkuar te varret dhe i kam parë këpucët e tyre, aty kam qarë jo pak por shumë”, tregon Haxha.
Në ditën kur u vranë dy nxënësit e klasës së pestë, Rafet e Nexhat Haxha, ishin plagosur edhe 7 civilë të tjerë, pjesëtarë të dy familjeve Haxha të Aqarevës, të cilët edhe pse me plagë të rënda tek pas dy dite kishin marrë ndihmë mjekësore, shkaku i luftimeve të ashpra.
Emisioni “ZËRAT E LUFTËS” nga Islam Morina, është prodhim i Gazetës Infokus, që sjellë rrëfime autentike të atyre që u mbijetuan masakrave e torturave çnjerëzore të kryera nga regjimi serb gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Rrëfimin e plotë mund ta ndiqni në videon në vijim: