Vetëm atëherë
Vetëm kur pika e fundit e ujit të na e prekë trupin,
e kuptojmë sa shumë rrojtëm e sa pak jetuam.
Kur sytë t’i ngulim në një pikë,
e kuptojmë arsyen e ardhjes në këtë botë,
e kuptojmë se jetë nuk do të thotë vetëm frymëmarrje.
Kur pëlhura e bardhë të na e mbështjellë trupin e ftohtë,
atëherë e kuptojmë se jeta është një çast i vetëm.
Kur trupi ynë kthehet aty ku përket,
kuptojmë se jetëgjatësi do të thotë mirësi.
Vetëm atëherë kur nuk ndjejmë më dhimbje,
e kuptojmë se nga buron durimi.
Vetëm kur mbi dërrasat që na e mbrojnë trupin,
dëgjojmë trokitjet e kokrrave të dheut të thatë,
e kuptojmë se çdo të thotë prekje.
Vetëm kur buzëqeshjen e ngrirë na e përpinë errësira,
e kuptojmë se sa dritë bëmë kur dhuruam buzëqeshje.
Vetëm kur zërat i dëgjojmë nga poshtë dheut,
e kuptojmë se sa i fuqishëm ishte zëri ynë.
Vetëm kur nuk jemi më,
e kuptojmë se kush ishim vërtetë.
Vetëm kur trupi të na pushojë nën dhe,
e kuptojmë se nga buron jo rehatia.
Atëherë, vetëm atëherë kur bëhemi një me dhenë,
kuptojmë se jetuam në sprovë,
e kuptojmë nëse jetuam që të harrohemi apo të kujtohemi!
Autor: Islam Morina (maj 2021)