Zërat e luftës

19:58 / 06 December 2022

Zërat e luftës

Zëra, klithma, dhembje e lotë
Faj ndjen zemra ime e trazuar
Në ditët e vuajtjes u ktheva sot
Rrugëtuam dhimbjes së pashuar

Më ndjeni se trazuar u kam
Duke u rënë rrugëve të lirisë
Gjakosur nga gjaku i njomë
Shtigjeve me dhimbje të Abrisë

Trishtimi në sytë tuaj më vret
Nga çdo rrëfim i larë me gjak
Aqarevës i rashë mes përmes
Gjakosur gjeta oxhakun plak

Pllaqicës t’i thuash dhembje është pak
Bisedë e fundit mes krismash babë e bir
Rrudhave të ballit të babës plak
Liria dhe vuajtja lexohet ma mirë

Fushave të Izbicës, liria ka peshë
Aty pushon dhe sot një pjesë e lirisë
Fjala është tepër heshtja flet vetë
Aty u skuq flamuri me gjak të pafajësisë

Një zog i shqipes mbi Ferzaj lëshon za
Aty nis një vuajtje, një e tërë histori
Torturë, plagë, kujtime një shpirtë i mba
Një luftar epik në mbrojtje të shokëve të tij

Fushave të Kllodërnicës një nanë rënkon
Djali i vetëm vrarë, dhimbja shpirtin vret
Lot i nanës shterur, vrasësit mallkon
Shtatë motra vajtojnë me ditë e vjetë

Ma bëni hallall mundin o njerëzit e mi
Vuaj bashkë më ju e dhembja peshë më ka
Dhimbja juaj emër ka, vuatjtje për liri
Sa herë ju mundova, shpirti copë m’u ba

Autor: Islam Morina (dhjetor, 2022)