Pamje nga takimi i minatorëve 31 vjet më parë në kullën e Jasharëve

16:55 / 22 November 2022

Fotoreporteri, Ilaz Bylykbashi, ka publikuar foto nga takimi i minatorëve në kullën e Shaban Jasharit, këtu e 31 vjet më parë, shkruan Gazeta Infokus.

Këto foto, Bylykbashi, i ka publikuar për herë të parë, ku ka treguar se ditën e 22 nëntorit 1991, kur kishte shkrepur fotografitë, nuk e kishte ditur se e kujt ishte ajo kullë dhe se bashkë me kolegët e redaksisë së “Rilindjes” dhe “Bujku-t”, kishin shkuar për të përcjellë manifestimin e përvjetorit të parë të Marshit të Minatorëve, një ngjarje që kishte bërë bujë të madhe.

Bylykbashi ka treguar se në vitet në vijim do ta vizitonte shumë herë kullën e Shaban Jasharit, të cilin e quan kryekomandant dhe kujton fjalët e tij të urta se: “Shkau i gjallë nuk i kapërcen këto mure”.

Vetëm pak vite më vonë kulla e Jasharëve do të bëhej simbol i rezistencës dhe zgjimit të madh kombëtar të shqiptarëve, por edhe simbol i trokitjes së madhe në ndërgjegjen e diplomacisë botërore, sepse ishin Jasharët dhe familja e tyre 59 anëtarëshe, që me sakrificën sublime të tyre, bën që bota të zgjohej dhe të shihte e merrte seriozisht represionin dhe dhunën shoviniste serbe mbi shqiptarët e Kosovës.

“Për mos me u harru:
Kulla e Historisë
Më 22 nëntor 1991, në redaksinë e “Rilindjes”/”Bujkut”, gazetarët Ibrahim Rexhepi e Ymer Bajra kishin dijeni se një ngjarje e rrallë, e minatorëve të “Trepçës” do të mbahej në Prekaz. Asgjë më shumë. U nisëm me kohë. Rrugës mora vesh, nga Ymeri dhe Ibrahimi, se ishte manifestimi i përvjetorit të parë të Marshit të Minatorëve, një ngjarje që kishte bërë bujë të madhe. Sapo iu afruam fshatit, dy të rinj na përcollën deri në Kullë. Ne, nuk dinim e kujt ishte kjo kullë. Sapo hymë brenda njoha shumë minatorë, mbase ishin rreth 150 veta, dhe udhëheqësit e tyre të kohës. Në ballë të dhomës së burrave ishte i zoti i shtëpisë, Shaban Jashari. Nga politikanët njoha Azem Vllasin, Aziz Abrashin e Burhan Kavajën. Në takim u fol për rëndësinë e Marshimit (47 kilometra në këmbë nga Stan Tërgu në Prishtinë) të Minatorëve.

Atë ditë, nuk më shkoi mendja se kjo Kullë do të jet ndërtesë me të cilën do të merret diplomacia dhe historia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Vitet që pasuan, më dërguan atje shumë herë. Kryekomandanti shpirtëror, Shaban Jashari, do të më njoftojë për lëvizjet dhe synimet serbe për ta shkatërruar. Ai, me qetësinë e engjëllore thoshte: “Shkau i gjallë nuk i kapërcen këto mure”! Frymëzimi i tij nga paraardhësit, e edukimi i tij familjar e atdhetarë i djemve, çikave, grave të shtëpisë dhe mjedisit të tij fqinjësor e miqësor bënë “Gurin” më të çmuar të lirisë së Kosovës!”, ka shkruar Bylykbashi në Facebook./Gazeta Infokus/

Foto: Ilaz Bylykbashi
Foto: Ilaz Bylykbashi
Foto: Ilaz Bylykbashi
Foto: Ilaz Bylykbashi
Foto: Ilaz Bylykbashi